Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG)

organizuan online, në datat 4 dhe 5 Nëntor,konferencën përmbyllëse të projektit “Informacioni gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të tokës në zonën Tiranë-Durrës” si dhe Konferencën Rajonale për informacionin gjeohapësinor.

Të ftuar në këto konferenca ishin ambasadori i Japonisë në Shqipëri, shkëlqesia e tij z. Takada Mitsuyuki, përfaqësues të zyrës së JICA për Ballkanin, përfaqësues të agjencive të Ballkanit që mbulojnë çështje të informacionit gjeohapësinor, përfaqësues të bashkive të përfshira në këtë projekt, agjencitë qeveritare që përdorin informacionin gjeohapësinor, si dhe përfaqësues të botës akademike dhe kompani private.

Produkti kryesor i projektit “Informacioni gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të tokës në zonën Tiranë-Durrës” është harta topografike digjitale, e shkallës 1:2 000, që mbulon një territor me sipërfaqe 300 km2, në trekëndëshin ekonomik Tiranë-Durrës, e cila është në përputhje me standardet e direktivës INSPIRE të BE-së, ka një përmbajtje mjaft të pasur tematike dhe saktësi të lartë pozicionale. Kjo hartë i jep ASIG, autoriteteve publike përgjegjëse për temat e gjeoinformacionit, si dhe njësive të vetëqeverisjes vendore të përfshira në zonën e projektit, një instrument shumë të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme, dhe lehtëson proceset që lidhen me planifikimin, zhvillimin dhe monitorimin e territorit.

Produkt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është transferimi i teknologjisë për prodhimin e hartave digjitale, nga JICA tek ASIG, nëpërmjet vënies në dispozicion të pajisjeve dhe programeve të nevojshme si dhe trajnimeve të personelit të ASIG, lidhur me proceset dhe procedurat për krijimin e hartës dixhitale, përditësimin e saj, dhe shërbimin nëpërmjet publikimit në Gjeoportalin Kombëtar.

Agjencitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në Konferencën Rajonale për informacionin gjeohapësinor sollën në prezantimet e tyre, arritjet e deritanishme në fushën e gjeoinformacionit, eksperiencat në bashkëpunimin me JICA-ën, planet e tyre të ardhshme për zhvillimet në fushën e informacionit gjeohapësinor, si dhe pritshmërinë e tyre për bashkëpunime të tjera të suksesshme me  ekipin e JICA.