Bazuar në nenin 7, të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” (në vijim “LDI”), dhe në Urdhrin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nr.187, datë 18.12.2020, "Për miratimin e Programit të Transparencës të rishikuar" Autoriteti Publik, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, (në vijim “ASIG”) publikon Programin e Transparencës (në vijim “PT”) të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Institucionit.

ASIG publikon informacion sipas veprimtarisë së tij funksionale, si dhe do të rishikojë e përditësojë PT në çdo rast të ndryshimit të aktivitetit institucional, kuadrit ligjor rregullator apo çdo elementi tjetër që ka lidhje me transparencën proaktive.

Në PT, të ASIG, janë të specifikuara kategoritë e informacionit të detyrueshëm për t’u bërë publik. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë: i plotë, i saktë, i përditësuar, i thjeshtë në konsultim, i kuptueshëm, lehtësisht i aksesueshëm dhe i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të ASIG. Gjithashtu, përpara publikimit të informacionit ASIG vlerëson nëse ka ndonjë kufizim ligjor për publikim.

Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga titullari i ASIG.

Në PT janë të specifikuara kategoritë e informacionit të detyrueshëm për t’u bërë publik, mënyra e publikimit, si dhe parashikimet ligjore prej të cilave lind detyrimi për publikim. Në publikimin e informacionit, ASIG mban parasysh interesin e publikut, për të mundësuar aksesimin lehtësisht në informacionin publik.